Nënshkruhet marrëveshja financiare për forcimin e qeverisjes dixhitale

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati bashkë me Menaxherin e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci, kanë nënshkruar sot Marrëveshjen Financiare për Projektin’Forcimi i Qeverisjes Dixhitale për Ofrim të Shërbimeve në Kosovë’,

Ky projekt ka për synim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve administrative publike dhe qasjes së qytetarëve në to.

“Mbështetja e aprovuar financiare për projektin pesëvjeçar është kredi koncesionare prej 20 milionë dollarësh, nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) i Grupit të Bankës Botërore. Kredia ka maturitet prej 25 vjetësh dhe grejs-periudhë prej 5 vjetësh. Projekti do të zbatohet nga Agjencia për Shoqërinë e Informacionit”, thuhet në komunikatën e MF-së.

“Projekti për Qeverisje Digjitale me Bankën Botërore synon dixhitalizimin e shërbimeve nga administrata publike, e rrjedhimisht edhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve publike për qytetarët. Tutje, ky projekt do të ndikoj në uljen e kostove financiare e barrës administrative për qytetarët, si dhe rritjen e efikasitetit e transparencës për institucionet publike”, ka thënë Murati.

Ndërkaq edhe Paolucci ka thënë që Kosovës do t’i përforcohen përpjekjet për fuqizimin e grave dhe luftimin e korrupsionit përmes dixhitalizimit të suksesshëm të shërbimeve.

“Zhvillimi i arkitekturës institucionale të qeverisjes digjitale dhe forcimi i infrastrukturës së rrjetit qeveritar dhe platformave të përbashkëta janë themelet kyçe për të mbështetur transformimin dixhital të shërbimeve qeveritare dhe publike,” ka thënë Paolucci.

“Dixhitalizimi i suksesshëm i shërbimeve dhe nxitja e përdorimit të tyre do t’i përforcojnë përpjekjet e Kosovës për luftimin e korrupsionit, për përmirësimin e fuqizimit të grave, si dhe për luftimin e ndryshimeve klimatike”.