Numri i madh i të hospitalizuarve me COVID-19, SHSKUK krijon hapësira shtesë për trajtimin e pacientëve

Numri i madh i të infektuarve me koronavirus që kërkojnë hospitalizim ka bërë që të krijohen hapësira shtesë për trajtimin e pacientëve.

Në njoftimin për media thuhet se menaxhmenti i SHSKUK-së, duke e parë situatën e krijuar dhe rritjen e ndjeshme të numrit të pacientëve të prekur me COVID-19, që po kërkojnë ndihmë në QKUK, ka krijuar hapësira me shtretër shtesë për trajtim të pacientëve.

“Në dy katet e pjesës së përfunduar së fundmi të Klinikës Infektive II ( Mjekësisë Sportive), pas pranimit teknik, janë vendosur rreth 80 shtretër shtesë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, sipas raportit të datës 30 gusht 2020, në kuadër të tërë Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës janë të shtrirë 1,284 pacientë.

Prej tyre, 1,167 të konfirmuar me COVID-19 pozitivë, 1,098 me oksigjeno- terapi, 60 të tjerë në kujdes intensiv.

Në klinikat COVID të QKUK-së, janë të shtrirë 449 pacientë,  435 prej tyre të konfirmuar me COVID-19,  399 me oksigjeno-terapi.

Në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 835 pacientë, 732 me Covid-19 pozitivë dhe 699 me oksigjeno-terapi.

Për shkak të numrit të madh të hospitalizuarve, drejtori i SHSKUK-së kishte thënë se kapacitetet për pranimin e pacientëve me COVID-19, janë në prag të limiteve.

Numri i madh i viktimave dhe i të infektuarve me COVID, ka bërë që të ndërmerren masa shtesë.

Të hënën kanë hyrë në fuqi këto masa, ndër të cilat edhe ora policore.