Operohet me sukses polici që u plagos mbrëmë në veri, flasin nga QKUK-ja

Ka përfunduar me sukses operimi i policit që u plagos mbrëmë në veri të vendit. Para mediave kanë folur mjekët që e kanë operuar policin, shkruan lajmi.net.

“Pacienti është pranuar rreth orës 08:30 dhe në pranim është monitoruar, parametrat vitale kanë qenë të gjitha stabile. Kemi bërë edhe ekzaminime tjera si CT e kokës ku është konstatuar se tek pacienti kemi pjesë të metalit në këtë rast të predhës në regjionin e kraharorit”.

Mjeku kujdestar Avdush Bajgora tha se në bazë të analizave, është konstatuar se polici ka gjendje stabile.

“Në bazë të analizave biokimike dhe biohemetologjike është konstatuar se pacienti ka gjendje stabile dhe është dërguar për trajtim në Kirurgjinë Turakale ku edhe i është bërë intervenimi” tha mjeku kujdestar në Qendrën Emergjente në QKUK, Avdush Bajgora .

Ndërkohë, doktori që mori pjesë në operim, tha se polici do të vazhdojë të qëndrojë në spital edhe për tri – katër ditë.

“Gjatë operimit i është hequr një predhë shumë e vogël metalike dhe pacienti është në gjendje stabile shëndetësore. Trajtimi i tij do të vazhdojë edhe për tri deri katër ditë në spital”, tha mjeku.