Osmani: Trysni ndërkombëtare për marrëveshjen për të zhdukurit me dhunë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Serbisë duhet t’i bëhet presion ndërkombëtar me qëllim që të arrihet marrëveshja për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Këto komente Osmani i bëri teksa bëri homazhe para obeliskut në Prishtinë dedikuar personave të pagjetur, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

“Siç e dini, në dialogun me Serbinë është prioritizuar çështja e të zhdukurve me dhunë dhe institucionet e Kosovës janë duke bërë të pamundurën në mënyrë që nëpërmjet këtij procesi, përfundimisht Serbia të japë të gjitha të dhënat që do të na çonin deri te zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë”, tha Osmani.

Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia po bisedojnë edhe për çështjen e të pagjeturve.

Ndryshe, nga lufta e fundit në Kosovë më 1998/99, 1.617 persona ende konsiderohen të zhdukur. Shumica e tyre janë shqiptarë.

Vlerësohet se mbi 13.000 persona janë vrarë në luftën e fundit dhe mbi 6.000 ishin zhdukur. Por, mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve në varreza masive në Kosovë dhe Serbi.