PDK: Do ta anulojmë vendimin për këmbimin e tokave

Leutrim Retkoceri, shef i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, ka paralajmëruar se do ta anulojnë vendimin për këmbimin e tokave në Badovc, duke e konsideruar si të jashtëligjshëm.

Ai ka shkruar në Facebook të martën se interesi publik i qytetarëve të Prishtinës do të triumfojë, derisa ka shtuar se “këmbimi milionësh në dëm të qytetarëve dhe komunës do të ndalet përfundimisht pasnesër”.

“Pasnesër përfundimisht do të bëjmë anulimin e këmbimeve të jashtëligjshme në Badovc të Kryetarit Përparim Rama. Interesi i publik i qytetarëve të Prishtinës do të triumfojë mbi interesin e pronarëve të tokave dhe lajres së borxheve biznesore. E përshëndesim edhe vendimin e Gjykatës Themelore për pezullimin e vendimit të mëparshëm për këmbimin e dëmshëm të pronave në Badovc. Këmbimi milionësh në dëm të qytetarëve dhe komunës do të ndalet përfundimisht pasnesër”, ka shkruar Retkoceri.

Të martën, Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi për të shtyrë ekzekutimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për këmbim të pronës komunale në “Prishtina e Re” me prona private në Badovc.