Peja bindëse në “Karagaçi”, barazohet seria finale

Peja e ka fituar bindshëm ndeshjen e dytë të serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi”, Peja fitoi ndaj Trepçës me rezultatin 107:79.

Tani rezultati është 1:1 në serinë finale. Skuadra që shënon tri fitore shpallet kampione. Ndeshja e ardhshme luhet të enjten në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

Skuadra pejane nisi furishëm dhe fitorja e saj nuk është rrezikuar për asnjë moment. Pejanët krijuan epërsi 12:0 e më pas 19:2. Çereku i parë përfundoi 32:14. Epërsi të lartë skuadra pejane më pas mbajti deri në fund.

Çereku i dytë përfundoi 25:18 për Pejën, ndërsa i treti 24:24. Në çerekun e fundit sërish Peja ishte më e mirë, 26:23.

Ndeshja është luajtur në palestrën e mbushur me shikues, ndërsa përkrahja për Pejën ishte e madhe.

Jalen Tate u dallua te Peja me 22 pikë, dhjetë asistime e tetë kërcime. Larry Thomas i kishte 18 pikë, shtatë asistime e gjashtë kërcime. Arti Hajdari shtoi 18 pikë, ndërsa Alban Veseli i kishte 16.

Te Trepça me lojë më të mirë u dallua Jamal Artis. Ai ndeshjen e përfundoi me 13 pikë, nëntë kërcime e tri asistime. Më efikasi ishte Drilon Hajrizi me 18 pikë, Ai kishte edhe tetë kërcime. Ken Brown i realizoi 12 pikë.

Të dy skuadrat janë duke pritur gjatë për titull të kampionit. Peja së fundi ishte kampione në vitin 2013, ndërsa Trepça në vitin 2012.