“Përçarje” brenda LDK-së, disa deputetë nuk do t’i japin nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Jo të gjithë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), do të mbështesin mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Gazeta Blic nga burime brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës ka marrë vesh se janë disa deputetë që nuk do t’i japin nënshkrimet për këtë mocion.

”Grupi Parlamentar do të mblidhet nga ora 13:00, por jo të gjithë deputetët e LDK-së do t’i japin nënshkrimet. Pos Vjosa Osmanit, do të jenë të paktën edhe dy- tre deputetë që aktualisht nuk kanë disponim për t’i dhënë nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë”, tha ky burim i Gazeta Blic brenda LDK-së.

Ky burim tha se ka pak gjasa që brenda dy orësh të ndërrohet disponimi i këtyre deputetëve për t’i dhënë nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë.

“Nuk besoj që lideri i LDK-së do të arrij t’i bind këta deputetë që të votojnë pro mocionit, gjegjësisht t’i japin nënshkrimet”, tha ky burim.

Sipas këtij burimi, ka pakënaqësi me vendimin e djeshëm të Kryesisë për rrëzimin e Qeverisë.