Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot në mbledhje të Qeverisë së Kosovës ka folur për pezullimin e dialogut strategjik nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kurti në mbledhje theksoi se nuk janë prishur me Amerikën, por kanë disa dallime.
“Sa i përket njoftimit nga Ambasada Amerikane në Prishtinë javën e kaluar së pari duam të qartësojmë për qytetarët tanë se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për dialog strategjik, jo të dialogut strategjik si proces të nisur, e as të komunikimit të rregullt që ne e kemi. Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime”, tha ai, raporton Telegrafi.
Sipas tij, ndonëse opozitarët po e stërzmadhojnë çdo ndodhi për raportet e qeverisë me qeverinë amerikane, ai nuk dëshiron të minimizojë zhvillimet e fundit.
“I sigurojë qytetarët tanë se qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës amerikane”, tha ai.