Programi i Qeverisë pritet të prezantohet në Kuvend

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot një seancë të jashtëzakonshme duke filluar nga ora 10:00, me temën e vetme të rendit të ditës prezantimi i programit qeverisës për katër vitet e ardhshme, i miratuar më 7 maj.

Programi qeverisës do të fokusohet në masat për përballimin e pasojave që po lë pandemia, zhvillimin ekonomik të vendit, mbështetjen për bizneset, rritjen e pagës minimale, krijimin e vendeve të punës dhe riorganizimin të skemave sociale.

Prioriteti i parë sipas Qeverisë Kurti 2 është shëndeti në kushtet e pandemisë, ndërsa i dyti ka të bëjë me ekonominë po ashtu në kushtet e pandemisë. Në këtë aspekt, sipas kryeministrit Albin Kurti, prioritet i qeverisë është sigurimi i vaksinave.