Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për Molliqajn

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe aktivistit të kësaj partie, Adem Megjuani.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Mund t’ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) personave të ndaluar, në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, ka thënë Ulaj.

Molliqaj dhe Megjuani aktualisht janë nën masën e ndalimit prej 48-orëve, pasi u arrestuan të martën.

Megjuani u arrestua pasi iu përgjigj pozitivisht ftesës për paraqitje nga Policia, ndërsa Molliqaj u arrestua dje në mbrëmje në dalje të Prishtinës.

Po ashtu, sipas policisë, Molliqaj ishte kërkuar në adresat e banimit dhe policia nuk e kishte hasur të njëjtin dhe i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare, por i dyshuari nuk e kishte përfillur.