PSG “mbret” në pagesat e lojtarëve

Kylian Mbappe fiton 6 milionë euro në muaj, 72 milionë në sezon

Të jesh kampion edhe në nivel pagash nuk është asgjë e re për Kylian Mbappe. Francezi është në muajt e fundit të qëndrimit në Paris dhe tashmë janë zbuluar edhe shifrat që 25-vjeçari fiton në Parkun e Princave. Sipas asaj që raportohet nga prestigjozja “L’Equipe”, dhjetë lojtarët më të paguar në Francë janë të gjithë nga PSG. 

Kylian Mbappé fiton 72 milionë euro bruto në sezon pa llogaritur bonuset. Kjo barazohet me një pagë prej 6 milionë eurosh në muaj, ekuivalente me 136 Euro në minutë. Nga këto paga bruto, të cilat nuk përfshijnë shpërblimet, duhet të zbriten kontributet, të cilat për lojtarët më të paguar janë rreth 11%. 

Dhe nga paga e marrë realisht, lojtarët duhet të paguajnë taksa të cilat në Francë për më të paguarit mund të arrijnë në 45%, të cilave duhet t’i shtohet një kontribut i jashtëzakonshëm prej 4%. Pra, një pagë prej rreth 36 milionë Eurosh për Mbappe që është më i paguari në Francë.

Por, gjasat janë që duke nisur nga sezoni i ardhshëm, nënkampioni i Botës të jetë me fitimet më të larta në një tjetër kampionat. Real Madrid është shumë pranë akordit për ta transferuar me parametra zero në fund të këtij edicioni futbollistik.