Shiroka-Pula kërkon nga Shqipëria mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka kërkuar mbështetjen e Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, gjatë takimit me ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Petrit Malaj.

Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë në fusha me interes të përbashkët.

Ambasadori Petrit Malaj e ka uruar Shiroka-Pulën për zgjedhjen në detyrën e presidentes, duke shprehur shpresën se gjatë mandatit të saj do të intensifikohen më tej marrëdhëniet mes dy shteteve.

Presidentja Shiroka-Pula ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë të ecin bashkërisht dhe të mbështesin njëra-tjetrën në proceset me rëndësi për të dy vendet.

Ajo ka nënvizuar veçanërisht nevojën për koordinim më të madh në politikën e jashtme, si dhe për mbështetje të fuqishme nga Shqipëria në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës dhe në përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në përfundim të takimit, të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar për rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.