Qeveria emëron Ragmi Dalipin drejtor të ASHI-së, miraton edhe disa shpronësime

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur të martën mbrëma mbledhjen e saj të 28-të në formë elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime që lidhen me emërime dhe projekte me interes publik.

Në këtë mbledhje, Qeveria ka emëruar Ragmi Dalipin në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI).

Po ashtu, është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të menaxhuara dhe administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), të nevojshme për realizimin e dy projekteve në Komunën e Gjakovës.

Projektet përfshijnë administrimin e objektit të ish-“Bankos”-it për nevojat e administratës së Komunës së Gjakovës, në zonën Gjakovë-Qytet, si dhe ndërtimin e një fushe futbolli dhe hapësirave rekreative për fshatin Trakaniq dhe fshatrat përreth, në Zonën Kadastrale Trakaniq.

Në mbledhje është miratuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 11/08, të datës 3 prill 2026, për emërimin e Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen e zyrtarizimit të gjendjes faktike dhe mospërputhjeve me Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme.