Qeveria Kurti kritikohet për mostransparencë

Mostransparente është duke u konsideruar Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, në javët e parë të qeverisjes.

Mungesa e përgjigjeve nga Zyra e kryeministrit këto katër javë, mos emërimi i zëdhënësit për media, si dhe mungesa e konferencave të kryeministrit pas mbledhjeve të kabinetit, është duke u konsideruar qasje jo e mirë e Kurtit, raporton KTV-ja.

Besnik Krasniqi, gazetar në Grupin “Koha”, thotë se në javët e para si kryeministër, Kurti ka bërë të kundërtën e asaj që ka premtuar.

Sipas Krasniqit, mungesa e ekipit për komunikim me media është duke iu shkaktuar probleme të shumta gazetarëve.

Ankesa për një gjë të tillë, kanë pranuar edhe në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

Qasjen e Qeverisë Kurti e ka kritikuar edhe juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari. Qasja e deritanishme e kryeministrit, sipas Kusarit, mund të ketë pasoja të mëdha për qeverisjen e tij.

Kabineti i udhëhequr nga Kurti është votuar në Kuvend, afër një muaj më parë, më 3 shkurt, derisa një ditë më pas, anëtarët e Qeverisë, kanë mbajtur edhe mbledhjen e parë.