Xhavit Haliti

Qeveria në detyrë miraton vendime për CEFTA-n, energjinë, infrastrukturën, buxhetin dhe Pakon e Ringjalljes Ekonomike

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, në të cilën ka miratuar një sërë vendimesh me rëndësi në fushën e tregtisë, energjisë, infrastrukturës, financave publike, arsimit dhe politikave shtetërore.

Në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare, Qeveria ka miratuar vendimin për konfirmimin e obligimit të zbatimit të vendimeve të CEFTA-s dhe protokolleve të saj. Nën udhëheqjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe kryesimit të Kosovës në CEFTA që nga prilli 2025, janë marrë gjithsej 11 vendime, zbatimi i të cilave synon lehtësimin e tregtisë, përshpejtimin e shërbimeve, rritjen e besueshmërisë digjitale dhe garantimin e konkurrencës së drejtë për konsumatorët.

Qeveria ka miratuar gjithashtu disa vendime preliminare për shpronësim për interes publik. Mes tyre përfshihet krijimi i së drejtës së servitutit për projektin “Linja ajrore 110 kW, Parku me Erë – Zatriq”, i cili konsiderohet i rëndësishëm për zhvillimin e infrastrukturës së qëndrueshme energjetike dhe furnizimin afatgjatë me energji nga burime të ripërtëritshme.

Vendime të tjera për shpronësim janë miratuar për nevoja të institucioneve shtetërore, për realizimin e projektit të ndërtimit të kyçjes së Vitisë në autoudhën “Arbër Xhaferi” Prishtinë–Hani i Elezit, si dhe për shqyrtimin e mëtejmë të projekteve infrastrukturore në Klinë dhe zgjerimin e rrugës nacionale M25 Prishtinë–Podujevë.

Në këtë mbledhje është aprovuar Raporti i tretë i punës i Komisionit për Vlerësimin e Sistemeve Shtetërore të Informacionit dhe Komunikimit me Rëndësi Strategjike, si dhe janë ndryshuar dhe plotësuar disa vendime të Qeverisë që ndërlidhen me certifikatat e sigurisë dhe regjimin e vizave, përfshirë vendosjen e regjimit të vizave për qytetarët e Republikës së Fixhi-it, në përputhje me politikat e Bashkimit Evropian.

Po ashtu, Qeveria ka vazhduar mandatin e Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut deri më 20 mars 2026, me qëllim të lehtësimit të qasjes në tregun e punës dhe administratën shtetërore për qytetarët e komuniteteve jo shumicë.

Në fushën e financave, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje buxhetore për vitin 2025, në vlerë prej mbi 2 milionë eurosh, të cilat do të destinohen për Programin e Ringjalljes Ekonomike dhe renovimin e Depos Qendrore të Barnave. Përveç kësaj, janë ndarë mbi 2.2 milionë euro për zbatimin e disa masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, përfshirë programin e Bursës së Mobilitetit për Studentë.

Qeveria ka themeluar edhe Komisionin Profesional për përzgjedhjen e artistit ose grupit të artistëve për ngritjen e Memorialit për Familjen Jashari dhe Epopenë e UÇK-së në Horën e Arbëreshëve në Itali, si donacion për komunitetin arbëresh në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre historik ndaj Kosovës.

Në fund, Qeveria ka ndarë 50 mijë euro për trajtimin shëndetësor të Hafiz Gagicës, duke vlerësuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në organizimin politik të diasporës shqiptare gjatë viteve ’90 dhe në mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës.