Qeveria themelon Këshillin për Epopenë e UÇK-së dhe projekte tjera nga Procesi i Berlinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka adresuar sot mbledhjen e dytë të Qeverisë, duke theksuar rëndësinë e muajve shkurt dhe mars në historinë dhe identitetin shtetëror të vendit.

Në hapje të mbledhjes, Kurti kujtoi se të martën u mbajt mbledhja solemne për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ndërsa njoftoi se pika e parë e rendit të ditës është themelimi i Këshillit Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ai theksoi se shkurti është muaj feste shtetërore dhe krenarie qytetare, ndërsa marsi muaj lavdie historike dhe nderimi të sakrificës. Sipas tij, pa 5, 6 dhe 7 Marsin dhe pa flijimin e familjes Jashari, nuk do të kishte as 17 Shkurtin, as festën shtetërore të Republikës së Kosovës.

Në këtë mbledhje, Qeveria pritet të shqyrtojë Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Qasje në Arsimin e Lartë dhe Pranim për Studime në Ballkanin Perëndimor, që buron nga Procesi i Berlinit. Kurti tha se kjo marrëveshje do të lehtësojë qasjen dhe pranimin e studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë, duke hequr pengesat administrative dhe duke afruar standardet akademike mes gjashtë vendeve të rajonit.

Po ashtu, në rend të ditës është edhe votimi i agjendës legjislative për vitet në vijim, e cila përfshin Projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Projektligjin e ri për Çmimet Tavan, të cilat Kurti i cilësoi si zotime të Qeverisë dhe nevoja të qytetarëve.

Në fund, kryeministri bëri të ditur se Qeveria do të vendosë edhe për themelimin e dy ndërmarrjeve të reja publike lokale: “Fushë Kosova” Sh.A. në Komunën e Fushë Kosovës dhe “EKO Drenasi” Sh.A., e cila do të ofrojë shërbime të mirëmbajtjes së hapësirave dhe ndërtesave publike.