Qeveria urdhëron që Manastirit të Deçanit t’i jepen pronat sipas vendimit të Kushtetueses

Qeveria e Kosovës i ka dhënë sot dritën jeshile Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat e Manastiri të Deçanit.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës bëri të ditur se lidhur me këtë tashmë ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës, raporton Telegrafi.

Kurti para kabinetit qeveritar tha se në këto dy vitet e fundit të gjitha institucionet e Kosovës nuk ka lënë gur pa lëvizur e takime pa zhvilluar lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Sipas tij, raporti i KiE-së për Kosovën ka theksuar se Kosova është shtet me qëndrueshmëri të institucioneve demokratike, ka listuar kushtet që janë zbatuar dhe ato që duhet të zbatohen.

Ai tha më tej se pas një procesi masiv të takimeve dhe komunikimeve u është bërë e qartë se pika rreth zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat për Manastirin e Deçanit nuk do të hiqet për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Çfarë kontestohet?

Autoritetet lokale në Deçan refuzojnë që Manastirit të Deçanit t’ia regjistrojnë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse konsiderojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk ka qenë kurrë e Manastirit.

Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese ka “legalizuar” një vendim të vitit 1997 të ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, me të cilin ajo pronë iu dhurua Manastirit të Deçanit.

Deri më tash, këtë qëndrim të pushtetit vendor e përkrahën edhe zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, për të cilët ky vendim i Gjykatës Kushtetuese “bazohet në politikën diskriminuese të Qeverisë së Serbisë të viteve ‘90”.

Por, nga Manastiri i Deçanit thonë se një qëndrim i tillë i zyrtarëve kosovarë kërcënon sigurinë e Manastirit”, sepse publikut i prezantohet “sikurse vetë Manastiri ia ka marrë tokën dikujt tjetër”.

Ata shpjegojnë se në vitin 1997 atyre iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, e cila u ishte marrë nga pushteti komunist i Jugosllavisë, në vitin 1946.

Ata, po ashtu, kujtojnë se “në kohën e Milloshevqit”, nga viti 1991 deri më 1999, janë sjellë mijëra gjykime ligjore për mosmarrëveshje të ndryshme dhe pyeten nëse të gjitha ato do të anulohen.