QUINT-i kërkon formimin e qeverisë së re

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it janë takuar të hënën me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, për të biseduar për situatën politike në vend. 

Ambasadorët ia kanë cekur Kurtit nevojën që të formohen sa më shpejt institucionet. 

Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të formohet edhe pas 14 tentimeve të dielën. Të martën është tentimi i 15-të. 

“Sot ambasadorët e QUINT-it janë takuar me kryeministrin në detyrë Kurti. Është theksuar nevoja për të formuar sa më shpejt një qeveri të re, që Kosova të ecën para drejt prioriteteve kyç si avancimi drejt integrimit Euro-Atlantik”, është njoftuar nga Ambasada e Italisë në Kosovë. 

Për takimin ka njoftuar edhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav. 

“Sot, ambasadorët e QUINT-it u takuan me kryeministrin në largim Kurti. Për progres në integrimin evropian të Kosovës, duhet një qeveri stabile dhe funksionale. Status-quo aktuale nuk i sjell dobi askujt”, ka shkruar Orav në platformën “X”.

E ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se ka inkurajuar për formimin e një qeverie të re dhe atë sa më shpejt të jetë e mundur. 

“Këtë pasdite takova, së bashku me ambasadorët e tjerë të QUINT-it, kryeministrin në detyrë Kurti. Inkurajova formimin e një qeveri të re, sa më shpejt të jetë e mundur, të veprohet në interesa të Kosovës dhe njerëzve të saj, duke bërë progres në çështjet vitale, si zhbllokimi i fondeve dhe vazhdimi drejt integrimit euroatlantik”, ka shkruar Hargreaves në Facebook.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, po ashtu ka thënë se duhet formuar sa më shpejt qeveria e re. 

“Kosovës i duhet një qeveri stabile që është e aftë të marrë vendime. Më mirë dje se nesër. Presin shumë detyra të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare dhe nevojitet përparim në çështjet jetike. Ky ishte mesazhi kryesor që zëvendësi im, së bashku me kolegët e QUINT-it, përcollën në një takim me kryeministrin në detyrë Kurti”, ka shkruar Rohde.