SHBA-ja miraton dhënien e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 për personat me imunitet të dobët

Rregullatorët amerikanë të ilaçeve kanë miratuar për qytetarët e tyre, dhënien e dozës së tretë të vaksinës te personat me imunitet të dobët, si një përforcues për të ndihmuar në parandalimin e infeksionit dhe sëmundjes.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, rregulli i lëshuar nga Administrata e Ushqimit dhe e Barnave (FDA) prek rreth 10 milionë njerëz, përfshirë marrësit e transplantit dhe pacientët me kancer.

Kjo shënon herën e parë që zyrtarët shëndetësorë amerikanë kanë treguar se dozat përforcuese mund të jenë të nevojshme për të luftuar coronavirusin.

Disa vende të tjera kanë filluar me ofrimin e dozave përforcuese për disa grupe.

Çështja e dozave përforcuese do të diskutohet nga paneli i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në një takim të premten. Nëse miratohet nga grupi, këto doza përforcuese mund të bëhen të disponueshme nga kjo fundjavë.