Sunny Hill Festival

SHBA-ja pezullon dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën shkaku i veprimeve të Qeverisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë, njoftoi të premten Ambasada amerikane në Prishtinë.

Në një njoftim në Facebook, Ambasada tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

Kosova dhe SHBA-ja pritej ta finalizonin dialogun strategjik këtë vit, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati njoftuar në janar për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve për një dialog të tillë.

Ambasada amerikane tha të premten se dialogu strategjik ishte menduar për t’i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike në të mirë të popullit amerikan dhe atij kosovar.

“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha ajo.

Ajo tha se SHBA-ja shpreson që këto përpjekje të vazhdojnë në të ardhmen, “kur kushtet të jenë të përshtatshme”.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të avancuar interesat e përbashkëta që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet mbi një synim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si themel për mirëqenie të përbashkët ekonomike”.

Çfarë është dialogu strategjik?

Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.

Bazuar në informacionet nga Departamenti i Shtetit, Radio Evropa e Lirë konfirmoi se SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.

Pse SHBA-ja vendosi ta pezullojë nisjen e këtij dialogu me Kosovën?

Vendimi i Shteteve të Bashkuara vjen në ditën kur autoritetet kosovare e pezulluan punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë në Mitrovicën e Veriut.

Ndërkohë, një ditë më herët, ato i morën nën kontroll e objektet në Graçanicë dhe Shtërpcë, ku ndodhej Posta e Serbisë, të cilat ishin mbyllur paraprakisht gjatë një aksioni të gjerë për shuarjen e institucioneve në jug të Ibrit, që funksiononin sipas sistemit të Serbisë.

Pasojat për Kosovën shkaku i veprimeve të Qeverisë në detyrë kohëve të fundit veçse u paralajmëruan të premten më herët, nga e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, e cila tha se Uashingtoni është i zhgënjyer me qëndrimet e kryeministrit në detyrë Kurti.

Ajo kishte thënë se SHBA-ja po e shqyrtonte përgjigjen e saj, duke shtuar “por më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”.

Javët e fundit, Kurti – i cili është njëkohësisht udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje – dhe zyrtarë të tjerë të partisë, përfshirë nënkryetarin Glauk Konjufca, e kanë kritikuar Gjykatën Kushtetuese njëanshmëri, duke thënë se ajo është e afërt me partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

Kushtetuesja dhe bashkësia ndërkombëtare e kanë dënuar trysninë e Kurtit dhe partisë së tij ndaj gjykatës më të lartë të vendit.

Kushtetuesja tani po e trajton një lëndë të dërguar nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – e cila kundërshton ndarjen e votimit për nënkryetarin e Kuvendit nga pakicat joserbe me atë nga komuniteti serb.

Gjykata ka vendosur një masë të përkohshme, që parandalon çdo veprim në Kuvend deri më 30 shtator si dhe çdo procedurë për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Po ashtu, partia e Kurtit ka bërë përpjekje të pasuksesshme për t’ia ndaluar Listës Serbe pjesëmarrjen si në zgjedhjet parlamentare të shkurtit dhe në ato lokale të 12 tetorit. /Rel/