Shumë qytetarë serb në veri, po nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e Erden Atiqit

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, nga sot qytetarët mund të nënshkruajnë peticionin për të shkarkuar kryetarët e komunave nga radhët e komunitetit shqiptar.

Mbledhja e nënshkrimeve ka nisur në orën 09:00.

Qytetarët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë në Mitrovicë të Veriut thanë se vendimi i serbëve për bojkotimin e zgjedhjeve lokale – që u mbajtën prillin e vitit të kaluar – megjithatë, ishte i gabuar.

Peticioni është nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet dhe përfaqësuesit e saj u larguan nga institucionet e Kosovës dhe nxitën largimin edhe të serbëve të tjerë.

Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, në Mitrovicë të Veriut ka interesim të madh të qytetarëve për të nënshkruar peticionin.

Në Mitrovicë të Veriut, peticioni po mbahet pasi asamblistët komunalë miratuan kërkesën e iniciatorit që mbledhja e nënshkrimeve të bëhet në sallën e sportit në këtë komunë në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Ndërkaq në Leposaviq, sipas njërit nga iniciatorët e peticionit, Vesellin Radoviq, është marrë leje që të shfrytëzohet hapësira para komunës për mbledhjen e nënshkrimeve.

Sanja Kërtiniq, një nga nismëtaret e kërkesës për nisjen e peticionit në Mitrovicë të Veriut, përmes mediave njoftoi qytetarët që të marrin me vete dokumentet e nevojshme për nënshkrimin e peticionit.

Ajo ftoi qytetarët që të nënshkruajnë kërkesën për shkarkimin e kryetarit aktual të komunës, duke u bërë thirrje edhe drejtorëve të institucioneve që financohen nga Serbia dhe punonjësve të këtyre institucioneve, që kanë vendbanim në Mitrovicë të Veriut, të marrin me vete letërnjoftimet dhe të nënshkruajnë peticionin.

Sipas disa burimeve të Radios Evropa e Lirë, mesazhe me thirrje të tilla për nënshkrimin e peticionit u janë dërguar punëtorëve të Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicë të Veriut, mësimdhënësve, punëtorëve të institucioneve komunale që punojnë sipas sistemit serb, si dhe atyre që janë larguar nga institucionet e Kosovës më 2022, por që tani paguhen nga buxheti i Serbisë.