Si nisi çarja e koalicionit LDK-PDK në Prishtinë?

Ndonëse ende e pakonfirmuar zyrtarisht, ka lëkundje të koalicionit mes LDK-së dhe PDK-së në Komunën e Prishtinës.

Gjithçka nisi pas shkarkimit të Ilirik Musliut nga pozita e Drejtorit të Shërbimeve Publike në kryeqytet, raporton Paparaci.

Pak ditë pas shkarkimit të parë të drejtorit të PDK-së, kryetari Përparim Rama përmes një njoftimi bën publik shkarkimin e dytë, atë të Donjeta Sahatçiut nga pozita e nënkryetarës së Prishtinës dhe pozita e ushtrueses së detyrës së drejtores së Arsimit.

Shkarkimi i Musliut, sipas Ramës erdhi për shkak të “gjendjes alarmante” me menaxhimin e mbeturinave ndërsa Sahatçiu, sipas kryetarit, u shkarkua për shkak të ngecjeve të evidentuara në fushën e digjitalizimit, fushë të cilën e ka udhëhequr ajo.

Shkarkimin e Musliut, shefi i asamblistëve të PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri e quajti hakmarrje, pasi kjo parti nuk e mbështeti për këmbim të pronave në Badovc.

Ai theksoi se ky vendim nga ana e kryetarit erdhi pasi dolën publikisht se nuk përkrahin këtë këmbim.

Ndërkohë, PDK në Prishtinë tashmë ka njoftuar se ka mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance më 8 shkurt nga ora 10:00, ku temë diskutimi do të jetë anulimi i vendimit të shkëmbimit të pronës komunale “Prishtina e Re” me atë private në Badovc.

Ndryshe, kryetari i Prishtinës Përparim Rama para tri vjetësh pati klientë pronarët e mbi 8 hektarësh tokë në Badoc, ku planifikohej ndërtimi i një lagjeje, por projekti u ndalua gjatë kohës sa Lumir Abdixhiku ishte ministër i Ambientit.

Në fund të muajit të kaluar, me propozim të Përparim Ramës dhe ndihmën e asamblistëve të Vetëvendosjes që bënë kuorumin, Asambleja Komunale e Prishtinës vendosi që prona në Badoc të këmbehej me një pronë tjetër në zonën “Prishtina e Re”.