Sot skadon afati për zgjedhjen e Presidentit, a po shkon vendi drejt zgjedhjeve?

Sonte mesnatë përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e kreut të shtetit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon sot.

Deri në përfundimin e këtij afati, Kuvendi duhet ta përfundojë procedurën për zgjedhjen e Presidentit. Nëse Presidenti nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, maksimumi brenda 45 ditëve prej shpërbërjes së Kuvendit, që i bie sipas afatit më 15 nëntor.

Çështja e zgjedhjes së Presidentit ka qenë në qendër të zhvillimeve politike gjatë javëve të fundit, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur një marrëveshje për kandidatin dhe votat e nevojshme.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas shqyrtimit të kërkesave të deputetëve të PDK-së lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Gjykata konstatoi se Kuvendi ishte konstituuar pas skadimit të afatit kushtetues dhe përcaktoi se më 8 gusht kishte përfunduar afati për konstituimin e tij. Nga kjo datë nisi të rrjedhë afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit, i cili përfundon më 6 tetor 2026.

Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, seanca konstituive e Kuvendit nisi më 6 gusht, por u ndërpre dy herë me kërkesë të Albin Kurtit. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje nuk propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit, duke argumentuar se ishte e nevojshme një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.

Megjithatë, më 8 gusht, kur skadoi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu sërish seancën konstituive.

Lëvizja Vetëvendosje insistoi se seanca nuk duhej të vazhdonte pa një marrëveshje paraprake për Presidentin. Kuvendi u konstituua përfundimisht më 13 shtator.

Ndërkohë, pas disa takimeve, Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftuan se ishin dakorduar për emrin e Bekim Sejdiut si kandidat për President. Marrëveshja u kundërshtua nga gjashtë deputetë të LDK-së, ndërsa Sejdiu më vonë njoftoi tërheqjen nga kandidatura.

Derisa as pas takimeve mes liderëve të partive politike nuk u arrit zgjidhja për këtë çështje.

Aktualisht, kryetari i PDK-së Bedri Hamza, po kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje, votimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen, në të dyja leximet e më pas diskutimet për gjetjen e një kandidati konsensual për president.

Kurse, kryeministri Albin Kurti, përkrahjen në lexim të parë e më pas votimin e presidentit.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, u votua në lexim të parë ky Projektligj, e ndërkaq s’ka marrëveshje ende për presidentin.

Mbetet të shihet në rast se do të arrihet një gjë e tillë, ose vendi rrezikon zgjedhjet.

Zgjedhjet e 7 qershorit ishin rezultat i krizës së mëparshme politike dhe dështimit të partive për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit. Në rast të zgjedhjeve, këto do të ishin të katërtat brenda dy vjetësh.