Southamptoni zyrtarizon Brojën

Southamptonit e ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit të Shqipërisë, Armando Broja nga Chelsea. Broja, të martën është prezantuar me fanellën e Southamptonit, ekip të cilit iu bashkua në formë huazimi për një vit. Për Brojën, ky është huazimi i dytë pasi sezonin e shkuar ishte te Vitesse, ku shënoi 11 gola në 34 paraqitje.

Te Southamptoni, e vlerësojnë lart Brojën, në të cilin llogarit trajneri Ralph Hasenhuttl.

“Armando është një lojtar shumë i talentuar, i cili na ka impresionuar sezonin e shkuar. Ai është i ri, por ekipit tonë i bashkohet me përvojën si senior te Vitesse, dhe me cilësitë që ka do të na ndihmoj shumë”, ka thënë Hasenhuttl.

Ndërkohë, Broja ka shtuar se ndihet i lumtur që sezonin 2021/22, do ta kaloj te skuadra e Southamptonit që bën gara në Premier League.

“Po ndihem shumë i lumtur dhe jam i emocionuar që do të jem pjesë e Southamptonit, një ekip shumë i mirë në Premier League. Për mua është një mundësi e mirë që të zhvillohem edhe më shumë duke luajtur në ligën më të fortë në botë”, ka thënë Broja. Sulmuesi 19-vjeçar ka kontratë me Chelsean deri në vitin 2026.