Stano: Kosova rrezikon të mbetet prapa në rrugën e integrimit drejt BE-së

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se BE-ja është e shqetësuar për “vendimet e njëanshme” që po merr pala kosovare dhe se kjo ngrit frikën se “Kosova mund të mbetet jashtë dhe të mbetet prapa” në rrugën drejt integrimit.

Stano në një konferencë për media ka thënë se dialogu vazhdon dhe se po punohet për të shtyrë palët para në këtë proces dhe ndihmuar ato që “të sillen me konstruktivitet që ato të mund të ecin para”.

“Ne nuk i frikësohemi një status-qoje, nuk i frikësohemi asgjëje në këtë aspekt. I frikësohemi vetëm se njerëzit e Kosovës dhe Serbisë mund të mbesin jashtë nga ajo që është aty për ta nga procesi i anëtarësimit. Kemi reaguar në javët e fundit, veçanërisht për vendimet e njëanshme nga pala e Kosovës. Këto kanë ngritur shqetësimin, së bashku me mënyrën e komunikimit nga ana e autoriteteve të Prishtinës. Këto krijojnë frikë te ne, që Kosova mund të mbetet jashtë dhe prapa”, ka thënë Stano.

Ai ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak po punojnë me partnerët në rajon dhe ndërkombëtarët, brenda e jashtë BE-së, për të mundësuar që të dyja palët të fillojnë të bëjnë hapa që do të lejojënë të vazhdohet në dialog e të zbatohet ajo që është arritur pranverën e kaluar në Bruksel e Ohër.

Ndërkohë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, ka folur për ndihmën e Këshillit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Ajo ka thënë se shpreson të niset më shpejt me zbatimin e projektit 6 miliardë eurosh.

Ndërkohë ajo është pyetur edhe nëse Instituti Evropian për Paqe me seli në Bruksel mund të ndihmojë në ndërmjetësimin e dialogut.

“Ne e kemi dialogun e lehtësuar nga BE-ja, që udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë, Borrell dhe nga emisari Lajçak. Topi është në fushën e të dyja palëve, ato e dinë çfarë duhet bërë dhe për çfarë janë pajtuar. Të dyja e dinë që progresi në normalizim bën edhe progres në rrugën evropianet. Gjërat janë të qarta e korniza është shumë e qartë”, ka thënë Pisonero.

Kosova në fakt edhe ka ngecur edhe ka mbetur jashtë. Është i vetmi vend jo vetëm në rajon por në tërë kontinentin e Evropës i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE por akoma nuk e ka statusin e kandidatit. Kanë kaluar më shumë se një vit prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim dhe ajo kërkesë nuk është shqyrtuar fare nga BE-ja. Këtë e kanë konfirmuar për KOHËN edhe nga Presidenca Belge e BE-së duke thënë se fati i kësaj kërkese do të varet edhe nga progresi në dialog.

Në anën tjetër Kosova është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimorë ndaj të cilit BE-ja ka vendosur sanksione, apo siç i quan “masa kufizuese” që përfshinë edhe suspendimin e një pjese të ndihmës financiare të BE-së.

Tash, në kohën kur Kosova kërkon heqjen e masave nga ana e BE-së, duke numëruar hapat që ka ndërmarrë Kosova, një gjë e tillë për një kohë të shkurtër nuk duket reale nga këndvështrimi i BE-së. Për më tepër edhe BE-ja edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës javën e fundit e kanë qortuar Kosovën për disa veprime që i kanë quajtur “të njëanshme dhe të rrezikshme”. Fjala është për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e euros si valutë të vetme në qarkullim në Kosovë, që Serbia e ka quajtur si “ndalim të dinarit” dhe po ashtu për operacionet që i ka bërë policia e Kosovës në disa objekte komunale të strukturave paralele të udhëhequra nga Serbia në territorin e Kosovës.