Statistika për fushatë – AKB denoncon publikimin nga ASK

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar me shqetësim ndaj publikimit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), e cila ka prezantuar të dhëna që pretendojnë një “rritje të jashtëzakonshme” të të hyrave nga mërgata dhe tregtia e jashtme për vitin 2024, krahasuar me vitin 2014.

Sipas AKB-së, një krahasim i tillë 10-vjeçar është i pazakontë dhe i pashoqëruar me arsyetim profesional, duke ngritur dyshime për motivet e këtij publikimi. Organizata thekson se kjo metodologji selektive përbën manipulim të statistikave për qëllime politike, veçanërisht në një kohë kur vendi është në atmosferë zgjedhore.

“Para qytetarëve po paraqitet rritja e remitancave si sukses ekonomik, gjë që është mashtrim publik. Këto janë para të dërguara nga mërgata jonë – njerëz që janë detyruar të largohen nga vendi për një jetë më të mirë. Nuk janë tregues i zhvillimit vendor, por dëshmi e mungesës së mundësive në Kosovë”, thekson AKB.

Po ashtu, sipas reagimit, edhe pse eksportet kanë shënuar rritje, kjo nuk justifikon entuziazmin e tepruar kur krahasohen me një periudhë 10-vjeçare. Përkundrazi, rritja e importeve nga 2.5 miliardë euro në vitin 2014 në 6.4 miliardë euro në vitin 2024 është tregues i varësisë së thelluar të ekonomisë kosovare nga jashtë.

AKB ka ngritur disa pyetje publike ndaj ASK-së:

  • Pse është zgjedhur krahasimi mes vitit 2024 dhe 2014, duke lënë anash periudhat më relevante?
  • Pse nuk ofrohen krahasime me vitin paraprak apo me një periudhë 5-vjeçare?
  • Kujt i shërben ky lloj prezantimi të dhënash – qytetarëve apo partive politike?

Organizata kërkon nga ASK që të ndalë përdorimin e statistikave për qëllime politike dhe të rikthehet në rolin e saj kushtetues si institucion i pavarur dhe profesional.

“Kosovës i nevojiten politika konkrete që krijojnë vende pune, mbështesin prodhuesit vendorë, zhvillojnë sektorin privat dhe nxisin investime reale – jo statistika të zbukuruara për propagandë,” thuhet në reagimin e AKB-së.

Në përfundim, Aleanca Kosovare e Bizneseve nënvizon se do të mbrojë gjithmonë interesin e bizneseve dhe ekonomisë vendore, duke kundërshtuar çdo përpjekje për manipulim të realitetit ekonomik në vend.