Të premten s’ka mësim në Kosovë, mësimdhënësit në protestë

Nesër të gjitha institucionet arsimore në vend nuk do të punojnë pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), ka vendosur që t’i bashkohet protestës së thirrur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Sipas kësaj sindikate, mësimdhënësit nga i gjithë vendi do të nisen drejt Prishtinës për të qenë pjesë e protestës.

“Pas një debati konstruktiv është rikonfirmuar se në protestën e thirrur më 20 maj nga BSPK-ja e bazuar në zërin e anëtarësisë do të marrin pjesë në mënyrë masive edhe të punësuarit në sektorin e arsimit. Duke u bazuar në këtë pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut kanë sjellë vendim që të premten shkollat nuk punojnë sepse punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

SBASHK-u shpreh keqardhje për gjendjen e krijuar por thotë se është pasojë e mungesës së gatishmërisë së Qeverisë për dialog dhe për angazhim në zgjidhjen e kërkesave, që ata i quajnë legjitime të punëtorëve në arsim, që nga çerdhet e deri në universitete e kulturë, por edhe në sektorët e tjerë.