Tensionet në Veri, ambasadori Hovenier: Anulohet pjesëmarrja e Kosovës në Defender 23, kjo është vetëm pasoja e parë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjen “Defender Europe 2023”, është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në Veri.

Ndërkohë pak ditë më parë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken kishte paralajmëruar se veprimet e Qeverisë së Kosovës në komunat veriore do të rezultojnë me pasoja në raportet dypalëshe.

“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës. Për Kosovën këto stërvitje kanë përfunduar”, tha Hovenier.

Ndërkaqë në lidhje me tensionet në Veri, SHBA-ja ka kritikuar Qeverinë e Kosovës duke thënë se më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë në komunat veriore “hynë me forcë” në ndërtesat komunale në veri.

Hovenier tha se SHBA-ja po mendon edhe për vendime të tjera që do të marrë në këtë drejtim.