Tirana dhe Shkupi hapin negociatat e anëtarësimit në BE

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut më 19 korrik hapin zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, tha se ky është moment historik dhe shtoi se të dyja shtetet kanë kryer reformat e duhura për të nisur negociatat e anëtarësimit në bllok.

“Sot Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po hapin negociatat për anëtarësimin në BE. Ky është suksesi juaj dhe i qytetarëve tuaj, që keni punuar kaq shumë për të arritur këtu dhe keni treguar jashtëzakonisht përkushtim për vlerat tona, keni treguar këmbëngulje dhe keni pasur besim te procesi i anëtarësimit”, tha von der Leyen, gjatë një konference për media në Bruksel.

Hapja zyrtare e negociatave bëhet gjatë konferencës së parë ndërqeveritare midis BE-së dhe dy vendeve aspiruese, që mbahet të martën.

Në Bruksel, të pranishëm janë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, falënderoi përpjekjet e bëra nga presidenca paraprake e BE-së, e udhëhequr nga Franca, për zhbllokimin e bisedimeve për Tiranën dhe Shkupin.

“Propozimi francez shtroi rrugën për zhbllokimin e një situate absurde”, tha Rama.

Rama tha se edhe pas tre vjetësh të ndërlikuara, populli shqiptar “kurrë s’u dorëzua dhe kurrë nuk rreshti së ëndërruari rrugën evropiane”.

“Ne thjesht na duhet të ngremë dhe ndërtojmë një Shqipëri evropiane dhe të fortë dhe një Ballkan të hapur Perëndimor”, tha Rama.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se pas 17 vjetësh të marrjes së statusit kandidat, sot po hapet një perspektivë e re për qytetarët e vendit të tij dhe shteti po i bashkohet BE-së.

“Ky ka qenë qëllimi ynë strategjik për vite me radhë”, tha ai në konferencën për media.

Kovaçevksi tha se arritja më e madhe për shtetin e tij, është se gjuha maqedonase do të jetë e barabartë mes gjuhëve të bllokut dhe kjo tha se u mundësua përmes propozimit francez.

“Ky propozim përkufizon gjuhën maqedonase, pa shtesa, shpjegime dhe fusnotë në fund të fletës, diçka që ka qenë e një rëndësie të madhe për ne. Dyert e hapura për gjuhën tonë maqedonase që të bëhet gjuhë zyrtare e BE-së, janë diçka që personalisht unë i shikoj si një nga arritjet më të mëdha”, tha ai.

Ndërkaq, kryeministrin e Republikës së Çekisë, Petr Fiala, shteti i të cilit udhëheq me Presidencën e BE-së, tha se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda bllokut.

“Në Evropën e sotme, ne duhet të jemi bashkë gjithë kohën. Çekia e ka mbështetur anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor dhe do të vazhdojë të bëjë një gjë të tillë. Ne kemi nderin që një përparim i tillë ndodh gjatë presidencës sonë”, tha ai.

Hapja e bisedimeve për Shkupin dhe Tiranën vjen pasi më 16 korrik, Kuvendi maqedonas miratoi një propozim francez që mundësoi heqjen e vetos së Bullgarisë për nisjen e bisedimeve me Shkupin.

Megjithatë, hapja e bisedimeve të martën në Bruksel është “simbolike”, pasi bisedimet reale apo ato për kapitujt e BE-së do të nisin vetëm pasi Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën e saj për përfshirjen në të të bullgarëve, si të barabartë me popujt e tjerë.

Këtë e tha edhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, pas nënshkrimit të protokollit me ministren e Jashtme bullgare në detyrë, Teodora Gençovska.

Maqedonia e Veriut ka marrë statusin e vendit kandidat më 2005 dhe Shqipëria më 2014. Por, nisja e negociatave u bllokua për shkak të mosmarrëveshjeve për historinë dhe gjuhën mes Shkupit dhe Sofjes.