Ukrainasja u gjet e vdekur në autostradën Ferizaj – Prishtinë, prokuroria dyshon për “aksident trafiku”

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se të mërkurën ishte gjetur në autostradën Ferizaj – Prishtinë, trupi i pajetë i shtetases ukrainase O.K.

Prokuroria ka thënë se rasti është duke u hetuar në drejtim të veprës penale “aksident trafiku” me fatalitet.

Trupi i shtetases së huaj është dërguar për obduksion në IML.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se më 21.02.2024, në autostradën Ferizaj-Prishtinë, rreth orës 19:30, është gjetur pa shenja jete një person-shtetase e huaj (ukrainase) me iniciale O.K. Hetuesit Rajonal të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e saj. Prokuroria me të gjitha institucionet tjera relevante janë duke punuar për zbardhjen e rrethanave të kësaj vdekjeje, dhe rasti është duke u hetuar në drejtim të veprës penale “Aksident trafiku” me fatalitet. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë”, u njoftua nga Prokuroria.