Vdes edhe 31-vjeçarja e dyshuar për vrasjen e dyfishtë, shkon në tre numri i viktimave

Ka ndërruar jetë edhe 31-vjeçarja e dyshuar për vrasjen e dyfishtë që tronditi fshatin Majac të Podujevës. Lajmi është konfirmuar për Ekonomia Online nga zëdhënësja e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Mirlinda Qyqalla.

Sipas konfirmimit zyrtar, e dyshuara Ardita Gashi, e cila po trajtohej në gjendje të rëndë shëndetësore në Klinikën Intensive të QKUK-së pas plagëve të marra nga arma e zjarrit, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm.

Me vdekjen e saj, numri i viktimave nga kjo ngjarje tragjike ka arritur në tre.

Si ndodhi ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën në fshatin Majac të komunës së Podujevës, ku sipas dyshimeve fillestare të autoriteteve, 31-vjeçarja kishte qëlluar me armë zjarri ndaj gruas së xhaxhait të saj, Miradije Gashi. Si pasojë e plagëve të marra, ajo ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spital.

Në këtë rast tragjik i vdekur mbeti edhe Ilaz Brahimi, 42 vjeçar nga Obiliqi, i cili dyshohet se ishte në lidhje me të dyshuarën. Ai humbi jetën në vendin e ngjarjes si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Pas incidentit, e dyshuara ishte gjetur e plagosur rëndë dhe ishte dërguar fillimisht për trajtim emergjent, ndërsa më pas ishte vendosur në kujdes intensiv në QKUK, ku edhe ndërroi jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

Hetimet në vazhdim

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila ka tronditur opinionin publik. Autoritetet pritet të sqarojnë nëse bëhet fjalë për konflikt familjar apo për motive të tjera që çuan në këtë epilog tragjik.

Rasti po trajtohet si vrasje e rëndë dhe hetimet janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorinë kompetente.