Veliu: Bulliqi përveç rrahjes po bën edhe linçime e shantazhe ndaj zyrtarëve komunal

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka reaguar pas publikimit të videos ku shihet kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, duke e sulmuar një punonjës komunal.

Veliu tha se punonjësin e komunës e njeh personalisht dhe ai është punëtor shembullor, ndërsa Bulliqin e ka quajtur të paedukuar.

“Shpejtim Bulliqi përveç arrogancës, linçimeve e shantazheve që po i bën ndaj punonjësve të institucioneve komunale, si duket ka eskaluar dhe ka fillu ta përdorë dhunën fizike. Përdorimi i dhunës është vepër penale dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare”, tha Veliu.

Ai tha se veprimi i Bulliqit është i papranueshëm për të dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Z.Bulliqi është i njohur për gënjeshtra e shtrëmbërime, informacionet dje ishin për mua të besueshme sepse është fjala për një punëtor të komunës shumëvjeçar. Unë e njoh personalisht qytetarin dhe është një prej punëtorëve shembullorë që nuk ka pasur nevojë me i dhënë qortim, është i qetë dhe i edukuar. Më ka befasuar shumë dhe sot u vërtetu edhe në pamje që me të vërtetë ka ndodh ajo që ka ndodh”, shtoi Veliu në T7.

“Për mua është tepër e pakuptueshme me ndodh diçka e tillë në QKMF në Podujevë, Bulliqi është i papërmbajtur, i paedukuar, është larg kulturës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka mbet i paedukuar”, tha Veliu.