Votimi i Vjosa Osmanit për presidente, detaje të mbledhjes së LDK-së: Grupi Parlamentar nesër do ta ketë takimin “kryesor”

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, u mblodh të hënën pasdite për të zhvilluar një takim që zgjati më shumë se dy orë, shkruan Gazeta Stop.

Temë e vetme e diskutimit në këtë mbledhje ishte votimi apo jo i Vjosa Osmanit – presidente.

Gazeta Blic merr vesh nga burime brenda kryesisë së LDK-së, se brenda takimit të sotëm ka pasur debat lidhur me atë se a duhet t’ia mundësojnë zgjedhjen e kandidates për presidente apo jo.

Siç mëson Gazeta Blic, në debatin e sotëm gjithçka ka shkuar në rregull, duke mos pasur diskutime të ashpëra.

Gjithashtu, është marrë vendim që të martën do të mblidhet Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të marrë vendim përfundimtar.

“Nesër kemi takim me Grupin Parlamentar të LDK-së dhe të unifikohemi edhe më shumë. Sot ka shkuar gjithçka në rregull debati lidhur me këtë temë”, i tha ky burim gazetës.

Në anën tjetër, pas përfundimit të mbledhjes, në adresim për media ka dalur nënkryetari i parë i LDK-së, Lutfi Haziri.

Haziri theksoi se janë duke punuar për dakordimin mes anëtarëve të LDK-së për temën e zgjedhjes së presidentit të ri.

Deri më tani, deputetët Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, janë dy personalitetet e larta brenda LDK-së që janë shprehur kategorikisht kundër zgjedhjes së Vjosa Osmanit në postin e presidentit.

Madje, për këtë temë, ditë më parë kishte një përplasje në distancë mes deputetit Agim Veliu dhe nënkryetarit të LDK-së, Gazmend Muhaxheri.

Ky i fundit në një intervistë gjatë ditës së sotme për Gazeta Blic, ripërsëriti hapur qëndrimin e tij se është pro votimit të presidentit të ri, konkretisht Vjosa Osmanit. Kurse, te menjëhershme kanë qenë reagimet nga politikanë dhe njohës të çështjeve politike.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, e shkroi një letër publike drejtuar homologut të tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Molliqaj kërkoi nga Abdixhiku që mos t’a mundësojnë zgjedhjen e Vjosa Osmanit, si presidente e re e vendit. Ai renditi arsyet pse sipas tij është e rrezikshme që Vjosa Osmani të bëhet presidente e re.

Sonte janë takuar nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri me ish-nënkryetarin Agim Veliu.

Nga një fotografi shihen Haziri dhe Veliu duke darkuar së bashku ku besohet se tema e mbrëmjes ishte votimi i Osmanit për Presidente.

Kurse, ditë më parë, Gazeta Blic raportoi se seanca e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të ri, pritet të thirret gjatë kësaj jave.

Lidhur me këtë temë, Gazeta Blic, do raportojë detaje ekskluzive mbi tentimin për zgjedhjen e presidentit dhe sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e tij.