Vrasja e gruas shtatzënë, Haxhiu: Do të ketë dorëheqje dhe shkarkime

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se vrasja e mbrëmshme e 35-vjeçares në oborrin e QKUK-së, është rast i rëndë, i kobshëm dhe i trishtë.

Pas përfundimit të mbledhjes së grupit të ngushtë ndërministror, Haxhiu bëri të ditur viktima kishte raportuar të dyshuarin për dhunë fizike dhe psiqike në korrik të këtij viti dhe Prokuroria e kishte lëshuar në procedurë të rregullt.

Sipas saj, kjo është një papërgjegjësi e prokurorit të rastit, raporton teve1.info

“Sipas informacioneve nga Policia, viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin por dhunë psiqike dhe fizike. Dhe Prokuroria, personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt. Është një papërgjegjësi institucionale, papërgjegjësi e prokurorit të rastit…sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të jetë parandalohej”, tha ajo.

Haxhiu theksoi se në momentin që do të verifikohet dështimi institucional, personi përgjegjës do të jap dorëheqje.

“Kompetencat janë të ndara, por ju garantoj që nëse shohim që ka dështuar dikush do të ketë dorëheqje, do të ketë shkarkim”, shtoi ajo.

Ajo potencoi se çdo institucion është i obliguar dhe kanë marrë përgjegjësi që të verifikojnë secilin veprim institucional prej momentit të parë kur është raportuar dhuna ndaj viktimës.

Një 35-vjeçare shtatzënë është vrarë mbrëmë në oborrin e QKUK-së. Sipas raportimeve, dyshohet se vrasja u bë nga ish-bashkëshorti i saj.