VV: Tërheqja e Trustit, parashikim afatshkurtër me pasoja afatgjate

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se pushteti do të vazhdojë të jetë kundër tërheqjes së 30-përqindëshit nga Trusti Pensional. Ajo tha të mërkurën se pushteti nuk e bllokoi votimin në Kuvend, por siç tha, opozita nuk krijoi kuorum.

Sipas Kusari-Lilës, tërheqja e Trustit është parashikim afatshkurtër që do të ketë pasoja afatgjate, ndërsa në rast të tërheqjes, vetëm një numër i vogël i qytetarëve do të përfitonin.

“Mazhoranca është dakorduar për qëndrimin e saj. Ka treguar se nuk e mbështet tërheqjen e 30-përqindëshit. Ky është parashikim afatshkurtër me pasoja afatgjate. Kjo ka të bëjë me ruajtjen e mirëqenies së qytetarëve, në kohën kur iu duhen këto mjete; në moshën 64-vjeçare, në ruajtjen e stabilitetit financiar të Kosovës e gjithashtu edhe me faktin se një tërheqje nuk do të ndikonte te shtresat në nevojë”, tha ajo.

Sipas saj, 58 për qind e Fondit të mbledhur, do t’iu ndahej 90.4 për qind të qytetarëve.

“Përderisa, 42 për qind të Fondit, nëse do të shpërndahej, do të shkonte vetëm te 9.6 për qind te kontributdhënësit. Kjo nuk paraqet barazi sociale”, shtoi ajo, derisa potencoi se pushteti është për dialog politik e për bashkëpunim parlamentar me opozitën, por jo “për akuza e linçime të natyrave të ndryshme”.

Të enjten në orën 10:00, do të nisë seanca për Buxhetin, ndërsa më pas do të vijohet me pikat e mbetura nga seanca e 16 qershorit dhe me pikën e seancës së sotme, atë për Trustin.

Partitë opozitare tash e sa muaj po insistojnë në tërheqjen e edhe të një pjesë të Trustit. Sipas tyre, tërheqja do t’ua lehtësonte jetesën qytetarëve karshi çmimeve të ngritura.

Në dhjetor 2020, qytetarëve u ishte mundësuar tërheqja e 10 për qind të kursimeve të tyre.