Sunny Hill Festival

Yjet që mungojnë në Euro 2024

Të suspenduar e të lënduar. Të pakualifikuar e të papërfshirë për arsye të ndryshme. Në Euro 2024, që fillon të premten në Gjermani, mungojnë disa prej emrave të mëdhenj të futbollit evropian.

Televizioni zviceran, SRF, ka përzgjedhur njëmbëdhjetë prej tyre.

Erling Haaland është emri më i madh që mungon në Evropianin 2024.  Ai fitoi titullin e kampionit të Anglisë me Manchester Cityn dhe ishte golashënuesi  më i mirë në Premier League.  Por nuk u kualifikua me Norvegjinë për Evropian. Madje Norvegjia përfundoi vetëm e treta në grup.
Norvegjezët i luajtën dy miqësore në qershor. Në të parën fituan 3:0 ndaj Kosovës dhe Haalandi i realizoi të tre golat. Më pas Norvegjia humbi 3:1 nga Danimarka.

Martin Odegaard është emri tjetër i madh i futbollit që nuk është në Evropian. Odegaard po ashtu është pjesë e Norvegjisë. Ai pos që mbeti jashtë Evropianit, mbeti edhe pa titull të kampionit në Angli. Si kapiten i Arsenalit, luftoi deri në fund për titull, por në fund kampion u shpall Manchester City.

David Alaba i mungon Austrisë për shkak të lëndimit. Është shpresuar në mrekulli, përkatësisht në rikuperim të shpejtë të Alabas. Por kjo nuk ndodhi. Ai është kapiten i Austrisë, por jo në Euro 2024. Ai megjithatë do të jetë prezent, si lidhje mes ekipit dhe stafit të trajnerëve. Alaba 31-vjeçar është lojtari më i njohur i Austrisë.

Thibaut Courtois ndihmoi Real Madridin në finalen e Championsit ndaj Borussia Dortmundit. Por për shkak të lëndimit që e mbajti gjatë, nuk është konsideruar nga përzgjedhësi i Belgjikës për Evropian. Një vit më parë Courtois kishte një përplasje me selektorin Domenico Tedesco. Dhe selektori kohë më parë tha se Courtois nuk është i gatshëm. Të tjerë portierë do ta kenë përgjegjësinë te Belgjika.

Për shkak të lëndimit mungon edhe Gavi, talenti 19-vjeçar i Barcelonës. Mesfushori tashmë i ka 27 paraqitje e pesë gola për Spanjën. Te Barcelona ka përgjegjësi të madhe. Aktualisht është jashtë fushave të blerta për shkak të një lëndimi të ligamenteve. 

Sandro Tonali i Italisë me gjasë mungon për arsyen më të pazakontë. Dikur i vlerësuar si shpresë e futbollit italian, sa ishte te Brescia dhe Milani, lojtari i Newcastlet u suspendua për dhjetë muaj në tetor për shkak të basteve ilegale gjatë kohës së tij në Itali. Dhe natyrisht nuk është në Evropian.
Tonali i ka 15 paraqitje për Italinë.

Marcus Rashford është tjetër emër i madh që mungon në Evropianin në Gjermani. Ai nuk është marrë në konsideratë nga selektori anglez, Gareth Southgate. 26-vjeçari i ka 60 ndeshje e plot 17 gola për Anglinë. Por nuk do të shtojë të tjerë gjatë Evropianit 2024.

Nuk është përzgjedhur as Mats Hummels, mbrojtësi i njohur gjerman, ndonëse kishte njërin prej edicioneve më të mira të tij te Borussia Dortmundi. Hummelsi e ndihmoi Dortmundin të kualifikohet në finale të Ligës së Kampionëve. Por nuk është përzgjedhur te Gjermania. Sipas SRF-së, ka frikë që ai nuk do të ishte në gjendje të pranonte rolin e rezervistit. Hummelsi 35-vjeçar, i ka 78 ndeshje për Gjermaninë. Por përvoja e tij nuk është vlerësuar e nevojshme këtë herë.

Te Gjermania nuk është përzgjedhur as Leon Goretzka. Ai shfaqi formë të mirë te Bayerni, por nuk ishte në përbërjen bazë në ndeshjen më të rëndësishme të vitit, ndaj Real Madridi në Champions. Julian Nagelsmann nuk i besoi ish-lojtarit të tij nga koha e përbashkët në Munih.

Christopher Nkunku mungoi gjatë te Chelsea për shkak të lëndimit. Më pas mbeti vetëm lojtar rezervist. Dhe nuk bëri vend te Franca e mbushur me yje. Nkunku kishte shkëlqyer nga koha te Leipzigu, por kjo nuk mjafton.

Te Franca për shkak të lëndimit mungon Lucas Hernandez. Lojtari i PSG-së i ka 37 paraqitje për Francën. Ai ishte lënduar në momentin më të keq, pak javë para Evropianit. U lëndua derisa luante për PSG-në ndaj Dortmundit në Champions.

Edhe lojtarë të tjerë të rëndësishëm mungojnë, por natyrisht në Gjermani janë shumica e yjeve evropiane të futbollit. Dhe spektakli është i garantuar.