Yuri Kim i kërkon Bashës që mos ta përfshijë Sali Berishën në grupin parlamentar të PD-së

“Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për këtë vend, jo vetëm për partinë, nëse partia do “të hante bar” për hir të interesave personale të një njeriu”, Kjo ka qenë deklarata e fortë e bërë nga ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim para selisë së Partisë Demokratike, pas takimit me kreun e kësaj partie Lulzim Basha.

Kim i ka kërkuar kreut të PD-së që të distancohet nga Sali Berisha dhe ky i fundit të mos jetë pjesë e grupit të ri parlamentar në shtator, pasi u shpall “non grata” nga Departamenti i Shtetit.

Kim e ka theksuar qartë në fjalën e saj se lideri i PD-së, Basha duhet të shikojë me kujdes se me cilët deputetë futet në Kuvend. Ajo ka shtuar se PD-ja dhe partitë e tjera kanë vendime të vështira përpara, megjithatë shpreson që partitë të kthehen me ndryshime në Parlament.

Vetëm pak ditë më parë, Lulzim Basha tregoi hapur mbështetjen e tij ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. Ndërkohë deri më tani nuk ka pasur një reagim nga kreu i PD-së lidhur me takimin me Yuri Kim.

“Teksa PD kthehet në parlament, do të jetë shumë e rëndësishme që partia në pushtet, PS, të tregojë se është serioze për t’u ngritur mbi interesat partiake për hir të vendit. Do të doja të theksoja gjithashtu përgjegjësinë që kanë kryetarët e partive për t’u siguruar që kur të hyjnë në atë parlament, të shoqërohen nga anëtarë që janë të denjë për të përfaqësuar Shqipërinë. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme që edhe PD t’i mendojë këto çështje. Siç e përmenda më parë, Partia Demokratike ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm, për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura. Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu. Shpresa jonë është që partitë do të ecin përpara, që ky vend do të ecë përpara, që bashkëpunimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë të ecë përpara. E ardhmja po pret. Ka vendime të vështira përpara për të gjithë. Shpresoj që të gjithë të mund të pushojnë mirë gjatë gushtit, por shpresoj edhe që kur të kthehen të freskët dhe të ripërtërirë në vendosmërinë e tyre për të zgjedhur të ardhmen kundrejt të kaluarës”, ka thënë Yuri Kim.

E ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, duke e cilësuar si ofendim për çdo demokrat shprehjen ‘’do të hante bar’’ të përdorur nga ambasadorja Kim.