Zeka: Çmimet mbesin të larta, zhvillimi ekonomik s’ka qenë prioritet i asnjë qeverie

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka thënë se vendi e ka mbyllur vitin me një normë të ulët të inflacionit rreth 4 për qind por që çmimet sipas tij, vazhdojnë të mbesin të larta për shkak të çrregullimeve në zinxhirët e furnizimit global.

Kjo siç thekson ai, tregon se Kosova ka një bazë të ulët të prodhimtarisë. Ai ka thënë se rritja ekonomike për vitin 2024 do të jetë 4.2 për qind.

Zeka ka thënë se zhvillimi ekonomik nuk ka qenë prioritet i as një qeveri që nga pas lufta, teksa apelon te ekzekutivi që ta bëjë një gjë të tillë këtë vit.

“Me sinqeritetin më të madh e them që realisht ekonomia nuk duket që të jetë prioritet i as njërës prej qeverive që i kemi pasur prej viti 99 e tutje, sidomos pre viti 2008 e tutje prej kur Kosova është shtet i pavarur”, është shprehur Zeka.

Ai ka theksuar që Kosovës i nevojitet një strategji gjithëkombëtare për zhvillimin ekonomik e ku në të duhet që të përfshihen të gjithë.

“Realisht duket që këtu çalojmë mungesa e një strategji gjithëkombëtare për zhvillimin ekonomik e cila do të jep drejtim zhvillimeve që lidhen me ekonominë edhe aspektin social, duket që po e gjymton vendin do të thotë në këtë aspekt. Këtu realisht besoj që qeveria këtë vit, vitin 2024 duhet ta caktoj me të vërtet të cilin zhvillimi ekonomik do të trajtohet me prioritet, por megjithatë duke pasur parasysh gjatë tërë kohës që zhvillimi ekonomik nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve të vendit por në këtë aspekt duhet që të përfshihen në komunikim së paku edhe hisedarët e tjerë jo institucional, profesor universitar, ekspert të ekonomisë, përfaqësues të instituteve të ekonomisë”, është shprehur Zeka për EO.

Zeka ka thënë se rritja ekonomike për këtë vit pritet që të jetë 4.2 për qind nëse shteti aktivizon shtyllat kryesore të cilat mundësojnë rritjen ekonomike të vendit, e që sipas tij janë investimet kapitale edhe ruajtjen e konsumit.

“Edhe ne presim që të kemi një rritje ekonomike prej 4.2 për qind për aq kohë sa përdoren ose aktivizohen shtyllat kryesore të cilat mundësojnë rritjen ekonomike të vendit. Sipas të gjitha raporteve të organizatave ndërkombëtare por natyrisht edhe raporteve të brendshme këto shtylla ekonomike të vendit përfshijnë investimet kapitale edhe natyrisht ruajtjen e konsumit, ani pse kjo mund të mos jetë ndoshta shtylla e cila garanton një zhvillim të qëndrueshëm. Por megjithatë janë dy prej aspekteve të cilat është bazuar zhvillimi ekonomik i vendit në vitet e fundit”, ka theksuar Zeka.

Ai ka shtuar se Kosova vazhdon që të ketë njërën prej normave më të larta të rritjes ekonomike në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, por që thekson se kjo normë nuk i mundëson vendit që të zë hapin me zhvillimet e kontinentit të Evropës.

“Për të qenë me objektiv duhet përmendur faktin që megjithatë Kosova vazhdon që të ketë njërën prej normave më të larta të rritjes ekonomike në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimore, por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojmë edhe të japim edhe informata të tjera për publikun që kjo normë e rritjes ekonomike nuk i mundëson vendit që të zë hapin me zhvillimet e rajonit, po flas për kontinentin e Evropës me qenë se këtu jemi shumë mbrapa. Baza ekonomike e Kosovës është relativisht e ulët edhe pastaj çfarë do norme e rritjes ekonomike nën normat dyshifrore nuk garanton zhvillim të përshpejtuar ekonomik”, është shprehur Zeka.