Zgjedhjet në veri, analistët: Kryesore bashkëpunimi me BE e SHBA

Hartimi i Udhëzimit Administrativ për zgjedhjet në katër komunat ne veri te vendit, bartë rreziqe dhe pasiguri. Kështu vlerësojnë analistët politikë dhe njohës të proceseve zgjedhore., sipas te cilëve, hapi më i duhur, është dorëheqja e kryetarëve aktualë te katër komunave në veri të vendit; ndryshe, rreziku për bojkot të serbëve është ekzistent.

Qeveria e Kosovës ka formuar grupin punues për hartimin e një udhëzimi administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave, udhëzim ky që është thënë se do të hartohet deri me 1 shtator.

Por, kjo situatë e re, nuk ka qenë fare e nevojshme, thotë për Radio Kosovën njohësi i proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliu. Ai thotë se mënyra e duhur, duke mos rrezikuar bojkotimin e zgjedhjeve në veri, është dorëheqja e kryetarëve të zgjedhur.

“Nuk ka pasur nevojë për një udhëzim administrativ dhe rreziku për të mos u realizuar ky lloj i kërkesës ekziston dhe nuk është modeli më i mirë dhe efikas i cili do të t’i duhej Kosovës e cila gjendet në presion të kërkesave ndërkombëtare për zgjedhjet ne 4 komunat veriore. Bart rreziqe kjo iniciativë, është më zvarritëse dhe më e pasigurt”, thekson Baraliu.

Nëse Qeveria e Kosovës injoron kërkesat e BE-se për procedurat e shkuarjes në zgjedhje në veri të vendit, nuk mund të ketë sukses as në këto zgjedhje, vlerëson për Radio Kosovën analisti politik, Artan Muhaxhiri.

“Qeveria e Kosovës ka bërë një hap pozitiv, çështja kryesore është në bashkëpunimin me BE-në e SHBA-në që ato t’i bëjnë presion Serbisë që pakica serbe në veri të dalë në zgjedhje dhe t’i japë legjitimitet procesit zgjedhor. Nëse Qeveria e Kosovës injoron kërkesat e BE- për procedurat e shkuarjes në zgjedhje në veri, nuk mund të ketë sukses, dhe do të vazhdojmë me ciklin negativ që është ekzistent aktualisht”, thaksoi ai.

Ndryshe, më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për shtensionim te situatës se krijuar në veri të vendit, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri. BE-ja ka bërë thirrje që zgjedhjet në veri të mbahen në një afat sa më të shkurtër kohor.