24-vjeçari plagos dhe grabit taksistin në Tiranë

Një taksist ra pre e dhunës e grabitjes së një 24-vjeçari orët e para së të mërkurës në Tiranë. Gjithçka nisi kur 24-vjeçari nga Durrësi mori taksinë te rruga “Ibrahim Rugova”. Teksa udhëtonin, ai e goditi taksistin me mjet prerës dhe i mori atij një shumë parash. ‘Drama’ ndaloi në rrugën e Kavajës, rreth orës 04:00, kur autori i dyshuar zbriti nga makina dhe tentoi të arratisej. Nga pas iu vunë forcat Shqiponja, që e ndaluan në rrugën “Sandër Prosi”. Ndërkohë, taksisti 57-vjeçar i cili mbeti i dëmtuar nga ngjarja, u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.

“Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas marrjes së njoftimit se ditën e djeshme, rreth orës 04:00 të mëngjesit, në Rrugën e Kavajës, një shtetas i kishte vjedhur me dhunë një shumë parash, goditur me mjet prerës, taksistin me të cilin udhëtonte, dhe më pas ishte larguar, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorit të dyshuar. Si rezultat i ndjekjes së menjëhershme, në rrugën “Sandër Prosi”, është kapur nga shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shtetasi G. M., 24 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas, orët e para të ditës së djeshme, ka hipur në një taksi në rrugën “Ibrahim Rugova”, dhe gjatë udhëtimit, ka goditur me mjet prerës shoferin e taksisë, shtetasin M. K., 57 vjeç, duke i vjedhur atij një shumë parash, dhe më pas është larguar. Si pasojë 57-vjeçari është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”, tha policia në një njoftim për mediat.