31 universitete evropiane dhe 55 biznese në Panairin e Karrierës dhe Studimeve Jashtë Vendit sot në Prishtinë

Në hapësirat e Kolegjit Universum është mbajtur Panairi i Karrierës dhe Studimeve Jashtë Vendit, më i madhi i këtij lloji i mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

Panairi u karakterizua me numër të madh të studentëve të interesuar për t’u kyçur në tregun e punës dhe të tjerëve për të vazhduar studimet në një nga universitetet jashtë vendit.

Nën organizimin e Kolegjit Universum, në Kosovë zbarkuan 61 përfaqësues nga 31 universitete prej 17 shtete nga Bashkimi Evropian dhe Turqia.

Përveç përfaqësuesve të universiteteve, në panair ishin pjesëmarrëse 7 ambasada me mision në Kosovë dhe 55 biznese që ishin të gatshme për të rekrutuar studentë në punë.

Hapja e panairit u bë nga profesori Filip Ruxho, i cili tha se bashkëpunimi me universitetet ndërkombëtare dhe bizneset aktive nderon aktivitetin dhe kolegjin.

“Kolegji Universum u kushton një rëndësi të veçantë kualitetit të studimeve  dhe në të njëjtën kohë i kushton vëmendje bashkëpunimit me industri, duke u ofruar studentëve praktikë dhe studime duale”, tha ai, teksa theksoi se 80% e studentëve të këtij kolegji kanë përfituar një kontratë pune.

Drejtori i Kolegjit Universum, Alejtin Berisha, tha se ofrimi i mundësisë për studime jashtë vendit është një prej prioriteteve kryesore.

“Jam shumë krenar të them se, përveç që jemi institucioni më i ndërkombëtarizuar në Ballkan para Universitetit të Sarajevës, para Universitetit të Tiranës, 52% e të gjitha shkëmbimeve që ndodhin në Kosovë me universitete në Evropë, vijnë nga Kolegji Universum”, tha Berisha.

Ky panair ka hapur dyert e shumë të rinjëve për të ardhmen e tyre, teksa kanë pasur rastin të takohen edhe me ish-studentë të cilët kanë përfituar nga lidhja e Kolegjit Universum me universitetet ndërkombëtare.

IMG-20220512-WA0006.jpg