Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka njoftuar se sot në ora 11:00, deputetët e saj do të dorëzojnë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së disa vendimeve të Kuvendit të Kosovës, përfshirë refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë.
Kërkesa përfshin të gjitha veprimet që lidhen me seancën konstituive të Kuvendit dhe vazhdimet e saj, të përmbledhura në dokumentin zyrtar “Transkript i Mbledhjes Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, që përfshin mbledhjet e mbajtura më 15, 17, 19, 21, 23, 25, 27, 29 prill, si dhe më 1, 3 dhe 5 maj 2025.
Paralajmërimi për këtë hap ligjor ishte bërë më herët nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila kishte kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të Kuvendit dhe shkelje të Kushtetutës.