AAK-ja e çon në Kushtetuese çështjen e votimit të fshehtë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e formimit të komisionit për votim të fshehtë në seancën konstitutive të Kuvendit.

AAK-ja ka njoftuar se kanë dorëzuar edhe vendime “të tjera të natyrës së njëjtë” që kanë të bëjnë me seancat paraprake dhe të mëvonshme lidhur me këtë çështje.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se çështjen e kanë dërguar në Kushtetuese së bashku me deputetët e LDK-së dhe të PDK-së për të saktësuar shkeljet kushtetuese, e edhe sipas tij, për të dhënë zgjidhje “se si të dalim nga ky ngërç”.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se moskonstituimi i Kuvendit është bërë lojë e turpshme, duke u shprehur se seancat e përsëritura çdo 48 orë “janë bërë model i papjekurisë sonë shtetërore.

“Loja me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, është bërë e turpshme, jo vetëm për deputetët e zgjedhur nga populli, por edhe për vetë Kosovën si shtet. Seancat e përsëritura në çdo 48 orë, pa asnjë vendim, janë bërë model i papjekurisë sonë shtetërore. Dëmet nga bllokada që po i bëhët konstituimit të Kuvendit, ka edhe pasoja të rënda politike dhe ekonomike për ne si vend e si shoqëri. Konsiderojmë se ndërrimi i mënyrës së votimit në gjysmë të procesit, me diktat të Vetëvendsjes, është shkelje e rëndë e Kushtetutës. Në një situatë të tillë pa rrugëdalje, e vetmja derë na ka mbetur Gjykata Kushtetuese. Prandaj sot, Grupi ynë Parlamentar me mbështetjen edhe të deputetëve të LDK dhe të PDK, i është drejtuar asaj për të saktësuar shkeljet kushtetuese në këtë proces dhe për të na dhënë zgjidhje se si të dalim nga ky ngërç”, ka shkruar kreu i AAK-së.

Haradinaj shtoi se dërgimi i çështjes në Kushtetuese pret të jetë i shpejtë.

“Natyrisht deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili shpresojmë të jetë i shpejtë, kemi kërkuar masë të përkohshme që të ndërpritet shpërfytyrimi i Parlamentit me seancat qesharake e pa asnjë produkt!”, shtoi ai.