Ftesat janë dërguar për liderë të “subjekteve parlamentare”, takimet në Presidencë nesër nga ora 13:00 e 15:00

Presidentja Vjosa Osmani do të presë në takim të enjten partitë politike parlamentare për të diskutuar mundësitë për daljen nga bllokada që është krijuar në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Presidenca të hënën njoftoi se ka shpërndarë ftesat, ndërsa të martën tha se të gjithë kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Megjithatë, dy parti që garuan në koalicione dolën me ankesa se nuk kanë marrë ftesa nga Presidenca.

Faton Peci, bashkëkryetari i partisë Guxo, e cila ishte themeluar nga Osmani, u ankua se nuk mori ftesë të veçantë.

“S’kemi marrë ftesë, do të duhej me marrë ftesë sepse jemi subjekt politik i regjistruar në Komisionin Qendror Zgjedhor pavarësisht që s’kemi garuar vetëm. Kemi garuar bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha shkurt ai dje para gazetarëve në Kuvend.

Ngjashëm u ankua edhe Fatmir Limaj i Nismës, i cili zgjedhjeve i hyri si partner koalicioni i Ramush Haradinajt të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por me të cilin iu prishën raportet pasi shfaqi ambicie për të bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje – një gjë që Haradinaj e ka kundërshtuar kategorikisht.

Limaj dje tha se ende nuk kanë marrë ndonjë ftesë nga presidentja dhe tha se do të “i pari” për bisedime “po të merrte” ftesë.

Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, sot për gazetën Express tha se ftesat janë për “liderët e subjekteve parlamentare”.

Siç mëson Express, nesër në Presidencë pritet që takimi me partitë e mëdha të nisë nga ora 13:00, ndërsa me të tjerat nga ora 15:00.

“Të gjithë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së enjtes me Presidenten Osmani”, ka thënë Kupina të martën.

Kuvendi i Kosovës dje për të pesëmbëdhjetën herë dështoi të konstituohet.

Lëvizja Vetëvendosje, partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, po këmbëngul në kandidaten e saj për kryeparlamentare. Albulena Haxhiu dështoi të marrë votat e nevojshme për disa herë me radhë. Partitë opozitare s’po e japin votën për të dhe kanë kërkuar ndërrimin e kandidatit për të zhbllokuar procedurën.