Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, njëherësh nënkryetare e Komisionit Evropian, Kaja Kallas do të jetë për një vizitë në Ballkan, ndërsa në Kosovë do të jetë të enjten pasdite.
Në njoftimin për media të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë bëhet e ditur se Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.
Po ashtu është bërë e ditur se Kallas do të vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.
Kallas do të mbajë edhe një konferencë për media të enjten në ora 15:45.
E para vizitës në Ballkan, shefja e diplomacisë së BE-së ka shkruar edhe në platformën X.
“Do të vizitoj Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në dy ditët e ardhshme dhe do të angazhohem me qeveritë dhe shoqërinë civile në rrugën e tyre drejt BE-së. Dialogu Beograd-Prishtinë është një domosdoshmëri për të ecur përpara. Tani është koha për t’u riangazhuar”, tha ajo mbrëmë.