Sunny Hill Festival

Dështimi i 28-të radhazi – Kuvendi ende pa konstituim

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur as të shtunën që të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, duke shënuar dështimin e 28 me radhë.

Sikur edhe në seancat e kaluara parlamentare, nisur prej 15 prillit, skenari ishte i njëjtë: seanca zgjati pak minuta, dhe vazhdon pas 48 orësh – në këtë rast e radhës do të jetë më 9 qershor.

Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë në nisje të seancës se është për keqardhje që qytetarëve dhe nevojave të tyre nuk po u kushtohet vëmendja e duhur, dhe ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV), përmes këtyre lëvizjeve, vetëm synon të zvarritë procesin deri në zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen në muajin tetor.

Armend Zemaj prej Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se “është e tepërt çka po ndodh në institucionin e Kuvendit” dhe që Lëvizja Vetëvendosje ose duhet të hapë rrugë, ose duhet të ofrojë mundësi “për t’i dhënë fund ngërçit”.

Pas seancës, Albulena Haxhiu prej LVV-së ka thënë pas seancës se është përgjegjësi edhe e partive tjera që të kontribuojnë në konstituim të Kuvendit.

“Urojmë që të kemi reflektim, është e rëndësishme që secili deputet të jetë në krye të detyrës. Sa më parë që ndodh është më e mirë për vendin dhe qytetarët e Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Kjo është hera e 20-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozojnë nga një anëtar për formim të komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.

Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), si fituese të zgjedhjeve, i takon të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi, dhe ajo këmbëngul vazhdimisht që Haxhiu është figura e duhur, ndonëse për partitë tjera ajo është e papranueshme dhe konsiderohet figurë përçarëse.

Çështja e ndërrimit të mënyrës së votimit – nga të hapur në të fshehtë – është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga parti që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.