Sunny Hill Festival

Kurti: PDK është parti me 4-5 kryetarë, nuk ka ofertë për koalicion

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk do të ketë ofertë për koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke e arsyetuar këtë me mungesën e reformimit brenda partisë.

Në intervistën e dhënë në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1, Kurti deklaroi se PDK nuk është një parti e mirëfilltë politike, por një organizatë me strukturë të paqartë drejtuese.

“PDK nuk është reformuar. Në Partinë Demokratike ekzistojnë 4 ose 5 kryetarë, nuk e di a i ka 4 apo 5, por jam i sigurt që nuk i ka 3, 2 e as 1”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se për të, PDK funksionon si një shoqëri aksionare, ku papërgjegjësia është e pakufizuar dhe ku deklaratat e përfaqësuesve të saj nuk kanë peshë të unifikuar.

“PDK nuk është parti, është një shoqëri aksionare me papërgjegjësi të pakufizuara. Aty nuk merresh vesh pse ke folë me një person, prandaj edhe Enver Hoxhaj thotë krejt diçka tjetër”, tha Kurti, duke iu referuar deklaratës së Hoxhajt se do të mbështeste një koalicion mes PDK-së dhe LVV-së.

Kryeministri në detyrë përmendi gjithashtu edhe përplasjet brenda PDK-së, duke e cilësuar partinë si sinonim të kapjes së shtetit.

“E patë çfarë tha edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, për Sami Lushtakun – prindin e një deputeti të PDK-së. Ata s’janë reformuar. PDK është sinonim i kapjes së shtetit”, përfundoi Kurti.