Sunny Hill Festival

Pushimet në Shqipëri – çmimet po “djegin” xhepin e pushuesve!

Sezoni veror në Shqipëri këtë vit po shoqërohet me një rritje të ndjeshme të çmimeve, duke vënë në pikëpyetje për shumëkënd mundësinë për të bërë pushime të qeta dhe të përballueshme.

Vetëm për një çadër me dy shezllona, në bregdetin shqiptar respektivisht në Durrës e te Gjiri i Lalzit, po kërkohen nga 10 euro deri mbi 20 euro në ditë, varësisht nga zona dhe rreshti i parë apo i dytë i plazhit, por edhe më shumë, shkruan Gazeta Stop.

Çmimet e ushqimit dhe produkteve bazë në markete po shënojnë rritje të pandalshme, duke e bërë jetesën e përditshme gjatë pushimeve edhe më të vështirë.

Një kafe e zakonshme kushton nga 90 deri në 150 lekë (rreth 1 deri 1.6 euro), ndërsa një picë e thjeshtë nuk blihet më poshtë se 600 lekë (rreth 6.3 euro, nëse llogarisim kursin 1 euro ≈ 95 lekë).

Në të gjithë këtë panoramë, përveç çmimeve të banimit që tradicionalisht ishin një barrë për buxhetin e pushuesve, tani edhe shërbimet bazë si ushqimi dhe shezllonët po bëhen luks për qytetarët e zakonshëm.

Pushimet në vendin tonë, që dikur shiheshin si alternativë e lirë për qytetarët vendas dhe ata nga rajoni, sot po kthehen në një barrë financiare që përjashton shtresat e mesme dhe të ulëta.

Në rrjete sociale po qarkullojnë dhjetëra ankesa për abuzim me çmime, mungesë transparence dhe cilësi që nuk justifikon kostot.