Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i është kërkuar t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese para se të marrë vendim ta mandatojë Lëvizjen Vetëvendosje për ta formuar qeverinë.
Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi ka thënë se presidentja nuk duhet të marrë veprime në kuadër të formimit të institucioneve të reja, pa iu drejtuar edhe njëherë Kushtetueses.
“Do të duhej të aktivizohej edhe presidentja e Kosovës që të dërgoj rastin e njëjtë në Kushtetuese për arsye se ajo është vendosur para një dileme të kërkoj VV-së t’ia dërgojë mandatarin për qeveria apo jo. Në këto rrethana ne si IKD vlerësojmë se ajo nuk do të duhej ta bëjë një gjë të tillë që t’i kërkojë VV-së mandatarin por t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese nëse janë shkelur parimet e Kushtetutshmërisë”, ka thënë Jakaj.
Të shtunën kryekuvendari Dimal Basha e shpalli Kuvendin e konstituuar, ndonëse nuk u arrit të zgjidhej nënkryetari nga radhët e komunitetit joshumicë serb.
Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që u mbajt të hënën, morën pjesë Basha, nënkryetarja nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu dhe nënkryetarja nga radhët e komuniteteve joshumicë joserbe, Emilia Rexhepi. Nuk morën pjesë Vlora Çitaku e PDK-së e Kujtim Shala i LDK-së, duke pretenduar për shkelje kushtetuese me rastin e konstituimit të Kuvendit.
Muhamet Hamiti, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se për herë të parë në Kosovën demokratike ka ndodhur që Kuvendi të mos mblidhet për t’i diskutuar ligjet.
Kjo sipas tij, ka ndodhur për shkak që Lëvizja Vetëvendosje mori rezultat të mirë nga zgjedhjet, por që ishte i pamjaftueshëm “për një formacion të pazoti siç është LVV-ja”.
Hamiti ka thënë se shkuan mbi 200 ditë dhe vendi nuk ka Kuvend të konstituuar.
“Rregullorja e Kuvendit është e qartë. Kuvendi konstituuohet me kryesi të plotë, por që nuk ka ndodhur. Për nënkryetarë nuk do të duhej të ndahej vota, do të duhej të votoheshin në bllok. Nuk është dashur të votoheshin ndaras. Është bërë gabim dhe tash i bartim pasojat”, ka thënë ai në “Interaktiv” në KTV.
Gjykata Kushtetuese tashmë është duke proceduar një kërkesë të Listës Serbe, e cila u ankua se me ndarjen e procedurës së votimit për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet, u shkel Kushtetuta dhe të drejtat e serbëve.
Në një përgjigje për KOHËN në këtë Gjykatë e kanë konfirmuar se Lista Serbe nuk i është drejtuar institucionit të Legjislativit me termin “Kuvendi i Prishtinës”, siç bëri publikisht kjo parti në njoftimin për ankesë.
Por, asnjë parti shqiptare nuk është ankuar deri më tash në Kushtetuese pas shpalljes së Kuvendit të konstituuar.
Basri Muja, njohës i çështjeve politike, ka thënë se nëse Gjykata e konteston kushtetutshmërinë e shpalljes së Kuvendit të konstituuar, duhet të marrë vendim para afatit të përcaktuar nga vetë ajo për konstituim, i cili përfundon edhe 14 ditë, për të shmangur pasoja të tjera.
“Mendoj që Gjykata Kushtetuese do të duhej të jetë më e shpejtë në vendimmarrje edhe për shkak të natyrës së problemeve edhe për shkak të afateve të cilat ajo i ka përcaktuar. Me sa jam i informuar Lista Serbe veçse i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese e ka mundësinë që të japë një përgjigje meritore”, ka thënë Muja.
Por, për të mos lejuar pasoja ligjore a kushtetuese, sipas Jakajt, deri në vendimin përfundimtar, Gjykata duhet t’i pezullojë të gjitha veprimet a vendimet që lidhen me konstituim.
“Gjykata po presim edhe besojmë që do të merr një masë të përkohshme sepse dëmi mund të jetë i pa riparueshëm në rast se presidentja do të aktivizohet dhe do të kërkonte mandatarin për formim të qeverisë së Kosovës. Sepse paramendoni situatën sikur të kishte një formim të qeverisë dhe më pastaj Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë atë Kuvend dhe rrjedhimisht do të kishim një qeveri jokushtetuese nga një Kuvend jo Kushtetues”, ka deklaruar Jakaj.
E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën është takuar me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovën, Jorn Rohde dhe ambasadorin e Britanisë në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Në kuadër të diskutimeve, u diskutua edhe procesi i konstituimit të institucioneve si rezultat i zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Me këtë rast, Presidentja Osmani riafirmoi se veprimet e saj do të jenë gjithmonë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet, duke siguruar stabilitet institucional dhe respektimin e vullnetit qytetar”, u tha nga Presidenca.
Të hënën Osmani është takuar me kryekuvendarin Basha.
Pas takimit nga presidenca u tha se ekipi ligjor i saj është duke bërë një analizë ligjore lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim, në cilësinë e tij, të kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, z. Dimal Basha. Në këtë takim, Kryetari Basha e ka prezantuar qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, presidentja Osmani e ka informuar kryetarin Basha se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës për takimin.