Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka prezantuar sot përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, ku do të drejtojë vendin gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar.
Në postin e zëvendëskryeministres dhe njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë është konfirmuar Belinda Balluku, e cila mbetet një nga figurat kyçe të ekzekutivit.
Ndryshimet më të mëdha kanë ndodhur në dy nga dikasteret më të rëndësishme: Punët e Brendshme dhe Punët e Jashtme. Ervin Hoxha largohet nga Ministria e Brendshme, duke ia lënë vendin Albanа Koçiut, aktualisht ministre e Shëndetësisë. Koçiu bëhet kështu gruaja e parë që merr drejtimin e këtij institucioni.
Në Ministrinë e Jashtme, Igli Hasani zëvendësohet nga Elisa Spiropali, e cila deri më tani mbante postin e kryetares së Kuvendit.
Pirro Vengu është konfirmuar në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa në Drejtësi Ulsi Manja largohet për të marrë postin e kryetarit të Komisionit të Ligjeve në Kuvend. Detyrën e tij do ta marrë zv/ministri Besfor Lamallari.
Në ministritë e tjera, Rama ka bërë kombinime mes rikthimeve dhe emërimeve të reja. Mirela Kumbaro kalon në Ministrinë e Arsimit, duke zëvendësuar Ogerta Manastirliun, ndërsa në krye të Shëndetësisë emërohet Evis Sala. Sofjan Jaupaj do të drejtojë Ministrinë e Mjedisit, ndërsa Delina Ibrahimaj rikthehet në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla merr detyrën nga Anila Denaj, ndërsa Toni Gogu do të jetë ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Kabineti i ri përfshin edhe konfirmimin e Adea Pirdenit si ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, si dhe Majlinda Dhukën si ministre e Shtetit dhe kryenegociatore për BE. Ervin Demo emërohet ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, duke zëvendësuar Arbjan Maznikun.
Përbërja e kabinetit të ri
- Zëvendëskryeministre, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë: Belinda Balluku
- Ministër i Brendshëm: Albana Koçiu (në vend të Ervin Hoxhës)
- Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme: Elisa Spiropali (në vend të Igli Hasanit)
- Ministër i Mbrojtjes: Pirro Vengu
- Ministër i Financave: Petrit Malaj
- Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit: Blendi Gonxhja
- Ministër i Mjedisit: Sofjan Jaupaj (në vend të Mirela Kumbaros)
- Ministër i Arsimit: Mirela Kumbaro (në vend të Ogerta Manastirliut)
- Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: Evis Sala (në vend të Albana Koçiut)
- Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit: Delina Ibrahimaj (në vend të Blendi Gonxhes)
- Ministër i Drejtësisë: Besfor Lamallari (në vend të Ulsi Manjës)
- Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural: Andis Salla (në vend të Anila Denajt)
- Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin: Toni Gogu (në vend të Taulant Ballës)
- Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin: Adea Pirdeni
- Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore për BE: Majlinda Dhuka
- Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor: Ervin Demo (në vend të Arbjan Maznikut)